Ekspertë ndërkombëtarë nga Organizata Botërore e Shëndetit (WHO), nga UNICEF, dhe nga Instituti Zviceran Tropikal dhe i Shëndetit Publik, ndanë sot informacion mbi hapat më të fundit të ndërmarra për të vendosur tregues shëndetësor.
"Treguesit e shëndetit publik na japin shënjestra të cilat duhet t'i arrijmë, dhe standarde të cilave duhet t'i përmbahemi", tha Ambasadori Christoph Graf në konferencë. "Politikat e mira të shëndetit mbështeten në tregues dhe informacion shëndetësor. Kjo nga ana tjetër kërkon që secili vend të përkushtojë burime për grumbullim dhe analizë të dhënash", shtoi Ambasadori Graf.
Të ftuarit në konferencë u fokusuan në çështjen e grumbullimit të të dhënave në kohë, dhe përdorimin e treguesve për të mbështetur vendime inteligjente në sektorin e shëndetësisë.
Ekspertiza zvicerane ishte e pranishme në konferencë përmes Drejtorit dhe ekspertëve nga Instituti Zviceran Tropikal dhe i Shëndetit Publik. Profesori Jürg Utzinger, Drejtor i këtij instituti, paraqiti çështjen e regjistrimit jetësor dhe informacionit shëndetësor.
Ministri shqiptar i Shëndetësisë Ilir Beqaj tha se informacioni është një nga pesë shtyllat e programit qeveritar për mbulimin universal.
Aktiviteti u mbështet nga projekti Shëndet për të Gjithë financuar nga Agjencia zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.