Sigurim në rast tërmeti i mundësuar nga një program i SECO-s

Press releases, 05.09.2017

Banka Societe Generale Albania ofron për klientët e saj mbulim për dëmtime nga tërmetet – mundësuar përmes shoqërisë Albsig në bashkëpunim me Europa RE dhe një program të qeverisë zvicerane.

Zyrat qendrore të Bankës Societe Generale Albania në Tiranë
Zyrat qendrore të Bankës Societe Generale Albania në Tiranë. © SGA

Polica e sigurimit ‘Swiss Visual Pro’ do t’i jepet falas 300 klientëve të parë që financohen me Kredinë Ekspres pranë Bankës Societe Generale Albania. Kjo policë i mundëson të siguruarve individë një pagesë të menjëhershme fikse prej 300,000 lekë në rast të dëmtimit të plotë të banesës nga tërmeti. Për vitin e parë primi i kësaj police do të mbulohet 100% nga Banka.

Duke filluar nga data 5 Shtator 2017 300 klientë të Bankës Societe Generale Albania mund të kenë sigurimin e tyre nga tërmetet falas për një vit. Pas vitit të parë klientët mund të zgjedhin nëse duan të vazhdojnë mbulimin e drejtpërdrejtë me kompaninë Albsig.

Shërbimi mundësohet nga Programi i Sigurimit të Rrezikut nga Katastrofat Natyrore në Europën Juglindore, financuar nga Sekretariati Zviceran i Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe nga Banka Botërore. Ky program synon ndërgjegjësimin e popullatës për sigurimin e pronës ndaj tërmeteve.    

Për shkak të pozicionit gjeografik Shqipëria është e rrezikuar nga tërmetet si pasojë e aktivitetit të lartë sizmik. Studimet më të fundit e vendosin Shqipërinë ndër vendet më të rrezikuara të rajonit së bashku me Greqinë dhe Turqinë. Megjithatë vetëm një pjesë e vogël e popullsisë kryen këtë lloj sigurimi. Autoritetet dhe institucionet ndërkombëtare po bëjnë thirrje që popullatat në vende si i yni të sigurojnë pronat nga tërmetet pasi përndryshe pasojat ekonomike dhe sociale do të ishin të rënda.

Ky shërbim përveçse i përgjigjet nevojave reale të klientëve, synon të rrisë edhe ndërgjegjësimin e qytetarëve shqiptarë mbi nevojën e sigurimit të ndërtesave në raste katastrofash.

Europa Re, Zyra e Përfaqësimit në Shqipëri

Tel: +(355) 4500 675

edlira.kalaja@europa-re.com