Projekti me financim zviceran LëvizAlbania jep mbështetje për 36 nisma të reja civile

Press releases, 18.10.2018

Një financim i ri për nismat të cilat përmirësojnë transparencën, llogaridhënien e bashkive, mbrojtjen e mjedisit, dhe pjesëmarrjen qytetare

Deputy Head of Mission at Swiss Embassy in Albania speaking to the LëvizAlbania grant winners
Zv. Kreu i Misionit në Ambasadën zvicerane në Shqipëri Philipp Keller duke u folur fituesve të granteve nga LëvizAlbania. ©FDFA

LëvizAlbania –projekti me financim zviceran që mbështet demokracinë dhe aksionin civil në nivel vendor – njoftoi fituesit më të fundit të granteve. Projekti do të financojë 36 nisma të propozuara nga grupe dhe individë në 36 bashki nëpër gjithë Shqipërinë, në përpjekje për të angazhuar veprimin civil dhe për të përmirësuar qeverisjen vendore.

“Në një demokraci funksionale çdo pjesë e shoqërisë vepron, kërkon dhe merr përgjegjësi. A po e bëjnë të gjitha pjesët e shoqërisë shqiptare detyrën e tyre ndaj demokracisë? Për këtë shërben LëvizAlbania. Jemi të kënqaur që kemi alokuar gati 900,000 franga zvicerane vetëm për këtë thirrje në mbështetje të 36 projekt-propozimeve nga i gjithë vendi”, tha Zv. Kreu i Misionit në Ambasadën e Zvicrës Philipp Keller gjatë aktivitetit.

“Sot ne prezantojmë para jush të 36 projektet fituese nga thirrja e 5-të. Janë 36 ndërhyrje konkrete që do të ndikojnë dhe synojnë të përmirësojnë sektorë si transparenca, qeverisja komunitare, fëmijët, shfrytëzimin e duhur të burimeve natyrore, mbajtjen e premtimeve prej të zgjedhurve vendorë, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik vendor, bujqësinë, pyjet, mbrojtjen e mjedisit dhe të hapësirave publike, etj.”, tha Andi Dobrushi, Kryetar i Bordit të Granteve të LëvizAlbania.

Në mbyllje të aktivitetit Drejtoresha Ekzekutive e LëvizAlbania Valbona Kuko foli mbi vlefshmërinë e këtij projekti në mbështetje të qytetarisë aktive dhe rezultateve dhe zgjidhjeve të dukshme në lidhje me qeverisjen vendore.

Në përgjigje të kësaj thirrjeje të pestë për propozime, LëvizAlbania mori 264 aplikime të cilat përfshinin propozime për nisma në sektorë si mjedisi, mbetjet urbane, rinia, siguria ushqimore, transporti public, shëndetësia, trashëgimia kulturore, uji dhe kanalizimet, bujqësia dhe barazia gjinore. Projektet fituese janë zgjeruar përtej territoreve tipike dhe përfshijnë nisma edhe në vende më të largëta si Pustec, Belsh, Cërrik, Dropull, Bulqizë, Has, Kukës, dhe Tropojë.

Midis 36 projekteve, 27 u iniciuan nga grupe dhe organizata civile, ndërsa 9 erdhën nga individë. Në fazat e mëparshme LëvizAlbania ka financuar 130 aksione dhe projekte, 9 nga të cilat përmes mekanizmit të Përgjigjes së Shpejtë e cila synon veprime dhe nisma aktuale dhe të menjëhershme.

LëvizAlbania financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe zbatohet nga një konsortium me tre organizata vendase.