Raporti i ri mbi standardet e cilësisë tregon sfidat kryesore të eksporteve bujqësore të Shqipërisë

Article, 02.05.2023

Një raport studimor mbi refuzimet nw kufi, të eksporteve shqiptare zbulon informacione të dobishme mbi standardet e cilësisë që kërkohen nga tregjet kryesore botërore. Raporti është përgatitur nga “Projekti për Standardet Globale të Cilësisë”, financuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike SECO dhe zbatuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Industrial UNIDO

Cover of the Standards Compliance Analytics report. ©
Kopertina e raportit të Analizës së Përputhshmërisë së Standardeve. ©

Në prani të përfaqësuesve të ministrive të linjës dhe sektorit të agrobiznesit u prezantua sot raporti i Analizës së Përputhshmërisë së Standardeve për refuzimet kufitare për produktet shqiptare. Ky studim i ri paraqet informacion të vlefshëm për llojet e produkteve bujqësore dhe ushqimore që ndalohen dhe refuzohen të hyjnë në tregjet e destinacionit.

“Ndërmarrjet në Shqipëri duhet të respektojnë standartet ndërkombëtare dhe europiane. Ky është një parakusht për konkurrueshmërinë e produkteve/eksporteve të vendit. Falë këtij raporti ne mund të kemi më shumë informacion për mallrat dhe produktet që refuzohen në pikat kufitare, nga kush dhe pse”, tha Patrik Meier, zëvendës shef i misionit në Ambasadën e Zvicrës.

“Ky studim është i dobishëm jo vetëm për sektorin e eksporteve, por edhe për punën e Ministrisë sonë. Ai do të shërbejë si bazë për ekspertizën që ne planifikojmë të mobilizojmë për të arritur objektivat tona të eksportit”, tha Enio Civici, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Sipas studimit dy arsyet kryesore për refuzimin e produkteve agroushqimore shqiptare janë: gjurmët e larta të pesticideve dhe etiketimi i pamjaftueshëm. Përveç kategorive të produkteve që refuzohen dhe arsyeve, raporti ofron rekomandime për qeverinë, palët e interesuara si dhe fermerët. Ai fokusohet në BE, SHBA dhe Kinë ku eksportet e Shqipërisë kanë vëllime më të larta si dhe norma më të larta refuzimi.

Bazuar në instrumentin e analizës së përputhshmërisë me standardet, studimi do të shërbejë si referencë për hapat e mëtejshëm në sigurimin e përputhshmërisë së produkteve bujqësore shqiptare me standardet kryesore botërore dhe në uljen e shkallës së refuzimeve. Raporti i ndihmon qeveritë të shpërndajnë burimet dhe kapacitetet e tyre të kufizuara në ato aspekte të përputhshmërisë me standardet që sjellin përfitimet më të mëdha në eksporte.

Projekti i Standardeve Globale të Cilësisë po mbështet Shqipërinë me ekspertizë në arritjen e përputhshmërisë me standardet e cilësisë për tregjet kryesore të eksportit.