Një projekt i përbashkët në mbështetje të reformës territoriale të Shqipërisë publikoi sot anketimin më të fundit që vlerëson gjendjen e qeverisjes vendore në vend. Duke matur perceptimet e qytetarëve dhe punonjësve të bashkisë studimi tregon katër dimensione të qeverisjes së mirë vendore: efektiviteti dhe efikasiteti; transparenca dhe sundimi i ligjit; llogaridhënia; dhe pjesëmarrja dhe angazhimi i qytetarëve.
Në përgjithësi qytetarët e rendisin ecurinë e bashkive si të pamjaftueshme dhe i vënë notën 4.6 nga 10 për kënaqësinë nga shërbimet. Sidoqoftë, përmirësime citohen përsa i përket planeve, shërbimeve dhe ekzistencës së rregullave të reja dhe më transparente. Vetëm 34% e bashkive (21 nga 61) vlerësohen si ‘mirë’ nga qytetarët ndërsa 64% e tyre (39 nga 61) përformojnë në nivelin ‘mesatar’.
Anketimi u bë publik gjatë një konference organizuar nga projekti STAR2 – Mbështetje për Reformën Territoriale dhe Administrative – që zbatohet nga UNDP Albania dhe financohet nga BE, USAID dhe programet e bashkëpunimit të Zvicrës, Suedisë dhe Italisë. Tre organizata vendase kryen studimin: Instituti për Alternativa Zhvillimi dhe Kërkimi – IDRA, Instituti për Kërkime Urbane – URI, dhe Qendra e Aleancës Gjinore për Zhvillim - GADC.
Një nga gjetjet kryesore në anketë është niveli i ulët i pjesëmarrjes dhe angazhimit të qytetarëve në proçeset demokratike. Ka një ndryshim të madh midis vlerësimeve të dhëna nga anëtarët e komunitetit dhe atyre nga autoritetet e bashkive: qytetarët deklarojnë se ata nuk janë të ndërgjegjësuar apo të informuar mjaftueshëm mbi planet vendore dhe ata nuk ndihen partner me bashkitë e tyre.
Një gjetje tjetër me rëndësi është ajo që pjesa më e madhe e bashkive nuk kanë një vizion afat-gjatë për zhvillimet e ardhshme dhe planet ose mungojnë ose nuk zbatohen siç duhet.
Studimi jep edhe rekomandime për të adresuar çështjet e qeverisjes vendore si zbatimi i decentralizimit fiscal dhe pajisja e bashkive me burime dhe fonde. Një rekomandim tjetër është rritja e gatishmërisë për shërbime më të mira nga ana e administratës publike si dhe ndërveprimit me qytetarët. Përsa i përket transparencës studimi sugjeron formalizimin e mekanizmave të gjurmimit dhe monitorimit për të trajtuar ankesat dhe kërkesat e qytetarëve.
Pas Reformes Territoriale dhe Administrative bashkitë përballen me mundësi por edhe me sfida të reja. Programet e bashkëpunimit zviceran dhanë expertizë teknike për dizenjimin dhe zbatimin e reformës.